Vendim historik/ Federata italiane e futbollit do t'i njohë futbollistët shqiptarë si "vendas"!

Federata Italiane e Futbollit (FIGC) ka mbajtur më datë 28 mars 2024 mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv, i cili ka marrë disa vendime të rëndësishme. Një prej pikave të diskutuara ka qenë mjaft e rëndësishme edhe për shqiptarët, pasi kishte të bënte me ndryshimin e rregullave që lidhen me regjistrimin e futbollistëve ekstra komunitar për sezonin 2024-2025 në Itali.
Lajmin e ka bërë të ditur Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) përmes një njoftimi, ku thuhet Federata e vendit fqinj ka vendosur t'i konsiderojë futbollistët shqiptarë si vendas dhe jo të huaj, vendim ky do të ndikojë drejtpërdrejt në aktivizimin e talenteve shqiptarë, për të konkurruar në mënyrë të barabartë në një nga kampionatet më të rëndësishme në botë.
Njoftimi i FSHF:
"Federata Italiane e Futbollit ka mbajtur më datë 28 mars 2024 mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv, i cili ka marrë disa vendime të rëndësishme. Një nga pikat e diskutuara në rendin e ditës ishte edhe ndryshimi i rregullave që lidhen me regjistrimin e futbollistëve ekstra komunitar për sezonin 2024-2025 në vendin fqinj.
Në lidhje me këtë çështje Federata Italiane e Futbollit ka vendosur që duke filluar nga sezoni i ardhshem t’i konsiderojë lojtarët shqiptarë si vendas dhe jo të huaj.
Në lidhje me këtë ndryshim shumë të rëndësishëm për komunitetin shqiptar në Itali dhe jo vetëm, FSHF dhe në veçanti Presidenti Armand Duka ka insistuar gjithmonë edhe në takimet me Presidentin e Federatës Italiane, Gabriele Gravina për të arritur një marrëveshje në lidhje me këtë çështje.
Ky vendimi do të ndikojë drejtpërdrejt në aktivizimin e talenteve shqiptarë për të konkurruar në mënyrë të barabartë në një nga kampionatet më të rëndësishme në botë."
/News31