U shkarkua pak muaj më parë pasi puthi futbollisten, ish-Presidenti i Federatës Spanjolle të futbollit arrestohet nga Policia!

Luis Rubiales, ish-presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit i cili u largua nga detyra nga qeveria spanjolle disa muaj më parë, pas skandalit të puthjes pa dëshirë të një futbollisteje në festën e fitmit të "Kupës së Botës", duket se nuk mund të rrijë larg telasheve, teksa është arrestuar mëngjesin e ditës së sotme. Kështu, Rubiales u vu në pranga në aeroportin Barajas, pas ardhjes nga Republika Domenikane dhe u dërgua me një furgon policie në gjykatë, ku do i merren deklaratat e tij.
Ish-presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit, bëhet me dije se po hetohet nga gjykata numër 4 e Majadahonda për krimet e pastrimit të parave, korrupsionit në biznes, administrimit të padrejtë dhe anëtarësimit në organizatë kriminale.
Rubiales deri më tani i ka mohuar akuzat dhe replikon çdo gjë që është thënë për të, megjithatë, Gjykata pritet të marrë vendimin pasi të dëgjojë edhe deklaratat e tij dhe dëshminë që ka për të dhënë.


