Tritoli në banesën e Armand Dukës/ Zbulohet lidhja e autorit të dyshuar me kreun e FSHF
Arlen Hasanaj është i dyshuari kryesor si personk që ka vendosur eksplozivin në shtëpinë e kreut të FSHF-së, Armand Duka. Ai nuk ka pranuar të flasë për asgjë tjetër, përveçse ka thënë se është arrestuar kot nga autoritetet.
Hasanaj rezulton se është kushëri dhe person i afërt me Krenar Hasanajn, i cili ka qenë deri para pak kohe administrator në kompaninë Kantinta ‘Gjergj Kastriot Skënderbeu’, në pronësi të familjes Koka. Krenar Hasanaj sipas këtyre dokumenteve ka qenë edhe administrator i kantinës në pronësi të Lefter e dhe Nar Kokës, por në periudha të ndryshme edhe aksioner. Duke qenë se ka dyshime se mes Armand Dukës dhe vëllezërve Koka ka pasur konflikte këto vitet e fundit, edhe pse kanë marrëdhënie familjare. Dhe Arlen Hasanaj mund të jetë përdorur për të çuar mesazh.
Hasanaj rezulton pronar i një biznesi privat në qytetin bregdetar, më konkretisht i kompanisë ‘Euroshop Durrës’ themeluar në korrik të 2020, me ortak Albi Lika.
Kjo kompani ka si veprimtari përveç market bar-kafes, edhe në fushën e prodhimit, magazinimit të prodhimeve të ushqimeve blegtorale e bujqësore. Dyshimet e para janë se ngjarja ka ardhur si pasojë e një konflikti për biznesin, kjo pasi siç Report Tv mëson, kur inspektorët e Tatimeve shkuan 2 ditë më parë për kontroll në ambientet e kompanisë së vezëve “Aiba”, në pronësi të kreut të FSHF-së, Armand Duka dhe vëllait të tij deputet, Agron Duka thanë se kanë pasur denoncim nga një klient i pakënaqur, që mendohet të jetë ‘Euroshop Durrës’. Pikërisht ky klient i pakënaqur dyshohet të jetë 34 vjeçari Arlen Hasanaj, i cili është edhe pronar i një dyqani vetëm 500 metra larg nga shtëpia e Dukës në Durrës, pikërisht aty ku dje vendosi lëndën plasëse.
/News31