SPORT 16 Janar 2024, 16:14

"Nuk kam marrë shpërblimet"- pas kritikave të Luiza Gegës, reagon Ministria e Arsimit dhe e Sportit!

"Nuk kam marrë shpërblimet"- pas kritikave të Luiza

Ditën e djeshme, Luiza Gega, në një intervistë të sajën u shpreh se i është mohuar shpërblimi nga shteti shqiptar, më saktë shpërblimi i premtuar nga Ministra e Arsimit dhe e Sportit, teksa kujtojmë se atletja, përvec kampionateve të ftuara në Shqipëri, Ballkan dhe vendeve fqinje, mbetet kampione Europe në fuqi në sportin e saj. 

Ndërkohë sot ka reaguar  Ministria e Arsimit dhe Sportit, duke thënë se i ka mbështetur dhe mbështet në vazhdimësi sportistët elitarë dhe trajnerët e tyre, përmes shpërblimeve direkte për rezultatet që kanë arritur në gara në arenën ndërkombëtare. Ministria bën me dije nëpërmjet një deklarate se Gega në dy vitet e fundit ka marrë 13 shpërblime në 10 gara ndërkombëtare bazuar në arritjet e saj, që nga niveli Botëror deri te ai Ballkanik, pesë prej të cilave janë shpërblime për arritjet  e vitit 2023.

Reagimi i plotë:

“Mbështetja e sportistëve elitarë është në qendër të politikave të Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve.

MAS i ka mbështetur dhe mbështet në vazhdimësi sportistët elitarë dhe trajnerët e tyre përmes mbështetjes për federatat dhe përmes shpërblimeve direkte për rezultatet që kanë arritur në gara në arenën ndërkombëtare.

Shpërblimet e dhëna bazohen në parashikimet e nenit 27 të Ligjit 79/2017 “Për sportin” i ndryshuar dhe akteve nënligjore që rrjedhin prej tij.

Vetëm për vitin 2023 shpërblimet e sportistëve elitarë kanë rezultuar rreth 55 milionë lekë për 23 sportistë elitarë dhe trajnerët respektive për arritjet në sportet që përfaqësojnë.

Atletja jonë Luiza Gega, është mbëshetur gjatë dy viteve të fundit me 13 shpërblime për 10 gara ndërkombëtare, bazuar në arritjet e saj, që nga niveli Botëror deri te ai Ballkanik, pesë prej të cilave janë shpërblime për arritjet  e vitit 2023.

Do të vijojmë edhe gjatë këtij viti, duke qënë dhe një vit olimpik, mbështetjen për sportistët tanë elitarë."

/News31