Maroku bën surpizën në “Qatar 2022”, kualifikohet si e para në grup, Kroacia çon Belgjikën në shtëpi
Një surprizë e vërtetë ka rezultuar grupi F i "Qatar 2022", ku Maroku është kualifikuar si e para e grupit, duke lënë pas Kroacinë dhe Belgjikën, me këta të fundit që i dhanë lamtumirën Botërorit.
Në fakt ndeshja mes Kroacisë dhe Belgjikës ishte vërtetë emocionuese, me intensitet dhe raste, megjithatë rezultati përfundimtar ishte 0-0. Sfida nisi mirë për Kroacinë që në minutën e parë, me Perisic që rrezikoi portën e Courtois. Më pas, Modric merr një penallti përsipër, por VAR ndërhyn duke i prishur festën dhe nuk e akordon.
Pjesa e dytë ishte më intensive dhe dukej sikur ishte një finale e vërtetë. Të dyja skuadrat tentuan disa herë të shënonin, me sulmuesin e Belgjikës, Lukaku, që pati rastin më të mirë, ku në një pozicion të vështirë me këmbën e tij të djathtë, goditi shtyllën. Sulmuesi zikaltër gaboi edhe dy raste të tjera konkrete.
Ky rezultat favorizoi Kroatët, pasi e përfunduan grupin në vendin e dytë me 5 pikë, ndërsa Belgjika me 4 pikë në vendin e tretë, falë edhe fitores 2-1 të Marokut përballë Kanadasë.
Sa i përket kësaj sfide, që e çoi kombëtaren afrikane në fazën me eleminim direkt të Kupës së Botës pas 36 vitesh, dominanca e marokenëve u duk që në fillimin e lojës, ku pas një gafe të portierit Borjan, në minutën e 4’ , mesfushori i Chelsea, Hakim Ziyech prej një distance relativisht të largët, godet dhe shënon. Edhe pse në epërsi, marokenët nuk ndaluan dhe në minutën e 23’, një pasim i Achraf Hakimit gjeti sulmuesin En-Nesyri, i cili një me një me portierin kanadez nuk zhgënjen dhe dyfishon rezultatin.
Goli i nderit për Kanadanë do të vinte po në pjesën e parë, ku pas një aksioni të shpejtë, në krahun e majtë, Buchanan kroson dhe mbrojtësi i Marokut, Nayef Aguerd e dërgon topin në rrjetën e portës së tij. Pjesa e dytë ishte e thatë me ekipet që zhvilluan 2-3 aksione, por pa arritur në finalizim, duke lënë kështu rezultatin të pandryshuar.
Me marrjen e kreut të grupit E, Maroku pritet të “peshkojë” në fazën tjetër, Spanjën ose Gjermaninë, nëse këta të fundit ja arrijnë të kualifikohen.
/News31