Cristiano Ronaldo mbetet zyrtarisht pa ekip! Manchester United e largon nga skuadra
Cristiano Ronaldo është zyrtarisht një lojtar i lirë. Manchester United ka bërë me dije sot ndërprerjen e kontratës me futbollistin portugez, si pasojë e deklaratave që ai bëri pak ditë më parë, ku ndër të tjera akuzoi klubin e trajnerin për paaftësi.
Deklarata zyrtare e Manchester United:
"Cristiano Ronaldo do të largohet nga Manchester United me marrëveshje të përbashkët, me efekt të menjëhershëm.
Klubi e falënderon për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në dy periudha në Old Trafford, duke shënuar 145 gola në 346 paraqitje.
Të gjithë në Manchester United mbeten të përqendruar në vazhdimin e përparimit të ekipit nën drejtimin e Erik ten Hag dhe të punojnë së bashku për të dhënë sukses në fushë."
Në intervistën e lartpërmendur, sipas portugezit shumë persona kërkuan ta largonin nga klubi dhe jo vetëm trajneri, për të cilin theksoi se nuk ka respekt.
Për momentin Ronaldo është i impenjuar me Portugalinë në kampionatin Botëror e me shumë gjasë gjatë merkatos së dimrit do mësojmë ekipin e ri. /News31