Spanja “hakmerret” ndaj Italisë, e mposht në shtëpi dhe kalon në finalen e "Ligës së Kombeve"
Kampionia e Europës, Italia, ka bërë një paraqitje zhgënjyese sot përballë Spanjës në gjysmëfinalen e "Ligës së Kombeve". Italianët pësuan humbjen e parë pas 37 ndeshjesh në shtëpinë e tyre, në "San Siro". “Furia e Kuqe” mori hak pas humbjes së para pak muajve në gjysmëfinalen e Kampionatit Europian ku “Azzurrët” i mposhtën me penallti.
Ndeshja nisi më mirë për spanjollët që arritën të kalonin në avantazh në minutën e 17 me sulmuesin e Manchester City-t, Ferran Torres. Bonucci mori kartonin e dytë të verdhë në minutën e 42 duke lënë të tijët me 10 lojtarë. Një goditje e rëndë për skuadrën e Mancinit, ku Spanja ia doli të përfitonte, pasi vetëm pak minuta më vonë arrin të shënojë edhe golin e dytë sërish me Ferran Torres.
Pjesa e parë mbaroi me rezultatin 0-2. E dyta nis me disa ndërrime nga Mancini, duke futur në lojë lojtarë si Kean apo Locatelli, por me një lojtar më pak do ta kishin të pamundur t’i bënin keq kundërshtarit. Pellegrini do të ngushtonte rezultatin në minutën e 83’ pas një asisti të Chiesa, por që në fund do të vlente vetëm si statistikë. Spanja është ekipi i parë që prek finalen dhe do presë fituesin e takimit, France – Belgjikë, që luhet ditën e nesërme.
/News31