Pse do votoj Sara Milën në 11 maj?- Nga Kejvin Kalo

Dua ta nis këtë shkrim relativisht të gjatë duke folur fare pak për veten, për ata që nuk më njohin apo më lexojnë për herë të parë, duke ju bërë me dije se ky nuk është një shkrim politik, partiak apo elektoral.
Madje jam shumë i sigurtë se edhe vetë Sara do jetë e habitur kur ta lexojë, duke e ditur fare mirë se unë mund t’i bëj opozitë jo vetëm forcës politike ku ajo aderon, por i bëj opozitë çdo gjëje që ka të bëjë me politikën, jetën në përgjithësi, fundja i kam bërë edhe showbiz-it, ndoshta ndoshta po të isha edhe vetë kryeministër do i bëja opozitë vetes time.
Absolutisht i kam sytë dhe veshët e hapur gjatë gjithë kohës për “axhendat”, “teoritë”, “real politikën” e çdo gjë tjetër, por ndonjëherë gjerat janë më të thjeshta se kaq dhe kur mundësia të vjen që një gjë të thjeshtë, ta thjeshtëzosh akoma më shumë dhe t’i japës njerëzve një alternativë, jam i par që “hipi në këtë tren”.
Thënë kjo, duke qenë se këto zgjedhje i konsideroj shumë të rëndësishme për të ardhmen e vendit tonë, por po ta marr pak në plan personal, edhe për të ardhmen e të rinjve shqiptarë, familjes time, edhe vetë meje, do doja ta shpallja votën time të hapur, jo për të ndikuar dike që të votojë si unë, kjo është gjëja e fundit që dua, por të jap një farë shembulli se si duhet të mendojmë kur të jemi para fletës së votimit dhe me zor shumë të madh, të gjejmë kandidatin që kemi zgjedhur mes 250 emrave që ka këtë vit.
Po ashtu dua të bëj me dije, që Sarën e kam mike, jo vetëm na lidh rrënja e përbashket, Elbasani por dhe grupi i miqve ku bëjmë pjesë prej kohës tashmë, e nëse kjo më fut pak në konflikt interesi dhe është e drejtë ta mendosh, më bën edhe më të “kualifikuar” ta jep mendimin tim të plotë dhe të sigurtë, pa m’u dridhur gishtat për atë që shkruaj, ndërkohë që do përpiqem edhe ta ndaj pak “mikeshën Sara” (se s’dua të përdor fjalën shoqe se aq duan) nga “kandidatja për deputete Sara”, gjë që kam përshtypjen që do me duhet ta bëj shpesh në 4 vitet e ardhshme.
Gjithsesi, dalim tek pyetja më e rëndësishme: PSE? Dua ta ndaj në 3 prizma përgjigjen dhe t’i bie sa më shkurt, edhe pse kjo nuk është arma ime më fortë, ndërsa dua ta nis me ata që Sara është.
Po flas për një të re, që me shumë guxim ka bërë një zgjedhje që për mendimin tim ka qenë e pashmangshme dhe që në nisje e ka bërë si duhet, pa shumë llogari dhe mbimendim. Sigurisht për të çuar përpara ëndrrën që ka qenë me të që kur ka nisur t’i jape sens jetës. Sara që e vogël, e ndikuar absolutisht edhe nga familja e mrekullueshme që ka, duke parë punën që prindërit e saj kanë bërë, si cdo prind tjetër që ka dashur t’i vendosë peshë mbiemrit të tij pa u larguar kurrë nga atdheu, ka qenë e frymëzuar që të bëjë këtë që ka nisur sot, të bëhet pjesë e përfaqësimit dhe ligjbërjes. Kam përshtypjen vetëm e vetem për t’i dhënë mbrapsht gjithë dashurinë, së pari familjes, e së dyti edhe tokës që i ka bërë ata që janë sot. E bindur për zgjedhjen e saj, për platformën që zgjodhi, për partinë, për rrugëtimin, edhe pse shumë do kenë në mendje pyetjen: “Pse ata?”, ajo nuk ka bërë asnjëhehë pas, duke mbajtur “fjalën e burrit” që e karakterizon, sepse THJESHT kështu e beson dhe vizionin që ka tashmë do ta bëjë të prekshëm për të gjithë. Kjo e bën koherente, të matur dhe me plot vetëbesim, gjë që une do ta doja absolutisht tek deputetit që do doja të më përfaqësonte. Ah po, ka edhe një cilësi tjetër që do doja ta përmendja, Sara është nga ato njerëzit që une them “të ndihmojnë kot”, pa pritur asgjë në këmbim, mund të të dëgjojë dhe të të ndihmojë, që nga problem më i thjeshtë deri tek ata më të komplikuarit, edhe kur as vetë s’e di se si, ta gjen një zgjidhje, dhe asnjëherë nuk pret asgjë në këmbim.
Në prizmin tjetër, do doja të thoja se si është ajo për ne, më konkretisht, për mua dhe këtu kam sërish rastin të jem komplet egocentrik, po shkrimi im, zgjedhja ime, do e duroni. Sara është çfarë unë do isha po të kisha mundësinë të futesha në parlament dhe jam I bindur, shumë nga miqtë e mikeshat e mija. Jo, këtë nuk e them sepse që kur njihemi na thonë sa ta ngjashëm jemi, por sepse përfaqësojmë të njejtin mentalitet, si në të menduarit për politikën, për jetën, për mënyrën si sillemi ndaj atyre që biem dakord ose jo dhe për se si e imagjinojmë të ardhmen. Dua të theksoj që ashtu si unë, edhe Sara mendon se Shqipëria i është futur një rruge zhvillimi që nuk ka kthim pas dhe ka vetëm nje destinacion final, ndërsa po ashtu, edhe pse diferencohemi në pika të ndryshme, jemi persona që mendojmë se “qëllimi justifikon mjetin” dhe për sa kohë, ashtu siç ka qenë gjithmonë, qëllimi i saj final është që atdheu ynë të shkojë atje ku duhet të kishte arritur kohë më parë dhe goxha larg gjendjes aktuale sociale e politike, jemi të dy “në një valle”, që fatkeqësisht nuk është “Valle Kosovare”. Ashtu si shumë të rinj të tjerë brilantë që njoh, Sara ka vetinë që mos ta shohë përkatësinë politike si përkatësi në një tifogrup dhe nuk gjykon në bazë të kësaj, madje priret drejt dialogut, si çdo prijës duhet, por nga ana tjetër ka edhe alergji ndaj “injorancës” dhe nuk e kam fjalën për mosdijen, por zgjedhne për të mos dëgjuar dhe për të qëndruar injorant dhe këto janë patjetër veti që do doja t’i kishte deputeti që kërkoj të më përfaqesojë (se fundja janë edhe të mijat duh).
Prizmi fundit, se si Sara aspiron të jetë dhe kjo do jetë më e shkurtër. Përtej faktit që nuk hezitoi të pranonte para kryeminsitrit se ne fakt ka qëllim të jetë kryeministre vetë dhe më besoni, koha po vjen që të kemi një kryetare qeverie femër se më keq se meshkujt nuk ka shanse të bëjnë, e shoh që tashmë kandidatja për deputete në Elbasan, aspiron të jetë model i politikës së pastër dhe serioze, sidomos në momentin që do jetë “kokë e këmbë” pjesë e saj. Ajo “race” politikani që nuk pozon me njerëzit apo i dëgjon sa herë trokasin këmbanat e fushatës (dhe një provë për këtë jua dhashë pak më lartë), ajo që i del për zot fjalës dhe përballjes, edhe me njerëz që mendojnë katërcipërisht kundër, ajo që mban përgjegjësi për mendimin e patjetër për fjalën dhe ajo që nuk toleron kur bëhet fjalë për interesin e përbashkët. Nuk ju ve faj po të mendoni se jam deluzional, por duke gjykuar cilësitë dhe mendimet e saj prej vitesh tashmë, e shoh projeksionin drejt kësaj udhe, edhe pse jam absolutisht i vetëdijshëm që do jetë i vështirë. Por vetë fakti që Sara kandidon këtë vit është sikur Porto të fitojë Champions League-n dhe ja ku jemi, për një vajzë që fjalën “e vështirë” e ka dëgjuar gjithë jetën e saj, si të gjithë vajzat në këtë të bekuar vend, e sërish nuk ka qenë pengesë në ambiciet e saj, asgjë nuk është e pamundur.
Po e mbyll duke ju lënë vetëm me dy gjëra. Një është përsëritje dhe nuk e bëj pa qëllim. Fakti që votën time tashmë po e bëj publike, nuk dua që të qarkoni të bëni me kryq të njejtin emër si unë, thjesht dua të mendoni si unë, aq më tepër që në Parlament, krah dhe përballë Sarës, do doja të shihja shumë të tjerë, që nga më konservatori si Altin Goxhaj, tek grushti i çeliktë i Arlind Qorit apo theksi vlonajt i Agron Shehajt, kemi nevojë për ngjyra dhe përplasje, kjo është pak por e sigurtë, por fatkeqësisht për të tjerët, ngjyra më e shëndrritshme qëllon të jetë e Sarës. Dhe e dyta, mund edhe të harroni të gjitha këto që lexuat ose të mendoni “çfarë humbje kohe”, e drejta juaj, po sikur të mbani mend vetëm këtë fjalinë e fundit do isha shumë i lumtur. Thjesht përpiquni që në parlament të çoni njerëz me ndërgjegje dhe sedër! Shihemi në 11! (Mbani mend fjalinë e parafundit).
Nga Kejvin Kalo