OPINIONS 29 Nëntor 2018, 00:00

Një panoramë e Festave të Nëntorit sipas dikujt që nuk e mban veten për patriote

Nuk e di nëse juve kur zgjoheni në mëngjes mendimi i parë ju çon tek dashuria për vendin por mua mendimi i parë më çon tek kafja pa të cilën nuk bëj dot. Kështu pra, 29 nëntor sot, një ditë e zakonshme e enjte ku më duhet të ngrihem të pij kafe e të nisem për në punë. Bëj një “scroll” të thjeshtë në Instagram dhe papritmas u ndjeva si njeriu më jo-patriot në botë. As flamur në Instagram, as ndonjë shprehje për dashurinë ndaj vendit dhe as një urim i thjeshtë për miqtë e mi në këtë ditë kuq e zi. Reflektoj me veten për pak minuta, nis të bëj gati një postim për festat e Nëntorit si gjithë të tjerët dhe pikërisht në momentin që më duhet t’i jap “post” nis e filozofoj mbi fenomenin.

Ej, prit pak” - them me vete, “mua s’është po ma ndjen shumë për këto festa përse dreqin po postoj?”. Dhe fiks, me këtë pyetje nis dhe rrëfimi im i radhës këtu në news31.al.

Pikë së pari dua të sqaroj se unë e urrej Grinch-in (ai që prishi festën e Krishtlindjes) dhe madje s’më pëlqejnë as ata që nisin e ankohen për çdo festë se s'kemi kemi aryse të festojmë, të tipit “nuk mund të kënaqem për Festat e Nëntorit për aq kohë sa nuk jam i kënaqur me këtë qeveri e bla bla bla” ndaj nuk jam këtu të bie në kurthin e Grinch-it me këtë reflektim pasi mendoj se çdo festë në botë sjell të paktën një arsye për njerzit që të mblidhen e të kalojnë kohë të mirë. Ama, kur festa në vetvete dhe sidomos festa që lidhen me patriotizmin kthehen në një garë fasade Instagram-i, nuk mundem të mos reagoj ndaj pështjellimit që ky “trend” më sjell.

Unë mendoj se këtë vit, Festat e Nëntorit ishin shumë të vakta në realitet sepse ishin shumë të zjarrta në Instagram. Ne kemi krijuar aty një realitet tonin aty dhe me rëndësi është që ky realitet të funksionojë siç duhet, ndërkohë nuk e vrasim shumë mendjen për çfarë ndodh në përditshmëri. Kënaqemi me një urim të Dua Lipës në Instagram ndërkohë që për shembull do ishte shumë më mirë që kjo e fundit të vinte në Tiranë sot dhe ta këndonte këtu e të festonte bashkë me ne (Dua apo shumë të njohur të tjerë). Po për ne pak rëndësi ka e prekshmja, e vërteta dhe ajo që përjetojmë “live”, rëndësi ka që na e bëri qejfin në Instagram.

Patriotizmi prej letre merr formë edhe tek shumë shqiptarë të cilët kanë vendosur që këto 5 ditë pushimi t’i kalojnë jashtë vendit. Foto, video e urime direkte nga Turqia, Serbia, Gjermania, Italia, etj dhe mundësisht me nënshkrime në këto postime ku tregohet se si Shqipëria ia ka arritur të mundë pushtuesin këtu e 106 vite kusur përpara e sa të lumtur jemi për lirinë që kemi sot. Pyetje nga salla: “A jam e vetmja që vë re një kontradiktë në këto postime patriotike?”. Dhe jo, nuk paragjykoj askënd që udhëton dhe bën qejf jashtë vendit qoftë për Festat e Nëntorit apo çdo festë tjetër. Liria është gjëja më e shtrenjtë që kemi dhe kjo qëndron dhe në esencën e Festave të Nëntorit por përshkrimet patriotike vështirë se mund të vendosen krah me selfie-eve nga sheshi i Stambollit në 2018-ën e të mos bëjnë të dukesh qesharak kur në 28 nëntor të 1912 është pikërisht çlirimi ndaj pushtimit Osman që kemi arsye të festojmë sot.

Turma e patriotiëve “online” jo vetëm që do të duket e kuqe flakë në këto festa por përpiqet të të imponojë me sa mundet edhe ata që ne i quajmë personazhe publikë. Disa nga lajmet që më kapën sytë kalimthi në një navigim të thjeshtë në Internet ditën e sotme ishin: “Filani nuk ia uron festën shqiptarëve” apo “Filanja nuk uron festën, fansat bëhen kuriozë se çfarë ka ndodhur me të”. Seriozisht? Sa absurde është  ta kërkosh me imponim një urim në Instagram për këto festa. Trysnia për tu bërë patriot “online” është e frikshme dhe virale. Po kanë uruar 10 personazhe, detyrohen dhe të tjerët të grryëjnë ndonjë album fotosh të vjetër ku kanë pasur në duar ndonjë flamur apo simbol kombëtar se për ndryshe u ktheve në armik të shqiptarve.

Ndërkohë, sheshet kanë dy ditë që janë tërësisht bosh, asnjë këngë a valle shqiptare nuk kam dëgjuar vërdallë, (të paktën në Tiranë ku jetoj) e ndërkohë Instagrami më vlon nga patriotizmi. Ku janë në realitet vallë këta njerëz? Përse janë kaq të padukshëm? Apo mos ndoshta patriotizmi sot, ashtu sikundër çdo gjë tjetër është zhvendosur “online”. Po punojmë “online”, po dashurohemi “online”, po miqsohemi “online”, vallë edhe patriotizmin na duhet ta dixhitalizojmë? Nuk e di për ju, por mua i gjithë tërbimi virutal dhe inekzistenca e festës në realitet më dha ndjesi trishtimi.

Gjëja më e bukur që kam ndeshur këto dy ditë festash kuq e zi ishte komenti i të dashurit të Dua Lipës në gjuhën shqipe. Më dha ndjesi të mirë që një i huaj, në këto ditë feste shkruajti shqip dhe bëri shqiponjën me “emoji”. Mu duk një gjest shumë i vërtetë sepse në të nuk “bërtiste” vëmendje për fasadë. Mu duk i ndjerë dhe me një naivitet të këndshëm ashtu si asnjë gjë tjetër këto dy ditë në lidhje me festën.

Patriotizmi “fantazëm” është edhe më i rrezikshëm se të mos qënit fare patriot. Kjo sepse dikush që preferon të jetë indiferent ndaj dashurisë ndaj kombit është i vërtetë me ndjesinë e tij ndërkohë që një patriot fantazëm, është një patriot fals, një patriot që të shet, të përflet e nuk të do as të mirën. Dhe ju e dini, Shqipëria e shqiptarët kanë vuajtur histortikisht, pikërisht nga ekzistenca e këtyre kategori njerzish. Ironike, apo jo? Pikërisht. Prandaj nuk ma bëri zemra ta postoja flamurin në Instagram. E mesa duket pikërisht pse nuk e bëra, qenkam më patriote sa mendoja.

*Ky shkrim u realizua nga Lea B. (duke falenderuar për idenë e pseudonimit Enkel Demin, me shpresën se Lea do të jetë e fshehtë pak më gjatë se Tom Kuka)