NEWS 10 Maj 2022, 18:18

Vdes ne rrethana misterioze miliarderi rus

Vdes ne rrethana misterioze miliarderi rus

Ish-menaxheri i kompanisë më të madhe private të naftës në Rusi ‘Lukoil’, Aleksander Subotin, raportohet se ka vdekur nën rrethana të paqarta, teksa janë raportuar një seri vdekjesh të mistershme të biznesmenëve rusë që kur Moska nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Mediat lokale raportuan se nga policia rajonale në Moskë thanë se po kryhen teste mjeko-ligjore, pasi dyshohet se në trupin e Subotinit mund të ketë drogë. Ai u gjet një ditë më parë në bodrumin e një shtëpie në qytetin Mitishçi, afër Moskës.

Sipas burimeve, pronari i shtëpisë ku u gjet trupi i pajetë i miliarderit, Aleksei Pindiruin, ka dëshmuar para policisë se kur Subotin kishte mbërritur në shtëpinë e tij, ishte nën ndikimin e drogës dhe alkoolit.

DailyMail përshkruan rrethanat misterioze të vdekjes së miliarderit 43-vjeçar, i cili thuhet se para se të vdiste u trajtua me një substancë të marrë nga bretkosat, që iu vendos në një prerje që i ishte bërë në lëkurë. Menjëherë pas kësaj, Subotini pësoi një atak në zemër dhe iu dha një qetësues i bërë nga bima e valerianës.

Të nesërmen në mëngjes ai u gjet i vdekur nga shamanët Magua Flores (emri i vërtetë Alexey Pindyurin) dhe Tina Cordoba (Kristina Teikhrib), sipas raportimeve lokale.

Thuhet se dyshja e shamanëve i trajtojnë klientët me anë të mjekësisë alternative.

Vetë shamanët u thanë hetuesve shtetërorë se Subotin ishte një mik i tyre, dhe mohuan se i  nënshtroheshin ritualeve shamanike për pagesë.

Subotini ishte anëtar bordi i Lukoil Trading House LLC, më pas u bë pronar i Kompanisë së Transportit të Ri (NTK) në brigjet e Gjirit të Finlandës.

Vdekja e Subotinit nuk është e vetmja në rrethana të mistershme që prej fillimit të luftës në Ukrainë.

Më 21 prill, Vagit Alekperov, themeluesi dhe bashkëpronari i Lukoil-it dha dorëheqjen nga kompania, pasi ai dhe miliarderë të tjerë rusë u sanksionuan nga Australia dhe Mbretëria e Bashkuar për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.

Po të njëjtën ditë, mediat në Spanjë raportuan se dy ditë më herët një ish-menaxher i gjigantit rus të naftës, Novatek, Sergei Protosenia, u gjet i vdekur në një vilë të marrë me qira në Lloreta de Mar, pranë Barcelonës, së bahsku me gruan dhe vajzën e tij.

Më 18 prill, ish-presidenti i institucionit kryesor financiar rus, Gazprombanka, Vladislav Avayev, u gjet i vdekur në Moskë, së bashku me gruan dhe vajzën e tij. Policia tha se akti ishte kryer nga vetë ai, që ishte mbyllur në shtëpi, kishte qëlluar për vdekje gruan e tij dhe vajzën dhe më pas kishte vrarë veten.

Më 24 mars, një tjetër miliarder rus, Vasily Melnikov, që kishte në pronësi kompaninë farmaceutike MedStom, gruaja e tij dhe dy djemtë, u gjetën të therur për vdekje në banesën e tyre në qytetin rus, Nizhni Novgorod.

Më 28 shkurt, miliarderi rus, Mikhail Watford u gjet i varur në garazhin e shtëpisë e tij në Mbretërinë e Bashkuar.

Më 25 shkurt, një ditë pas pushtimit rus të Ukrainës, menaxheri i gjigantit të energjisë ruse Gazprom, Aleksander Tiuliakov, u gjet i varur në garazhin e shtëpisë së tij në Shën Petersburg. Policia tha se kishte gjetur një letër, ku ai kishte shkruar se ka kryer vetëvrasje.

Edhe zyrtari tjetër i lartë i Gazpromit, Leonid Shulman, u gjet i vdekur në një shtëpi pranë Shën Petersburut, në janar, disa javë para se të niste pushtimi i Ukrainës. Në vendin e ngjarjes, policia po ashtu gjeti një shënim, ku njoftohej se ai kishte bërë vetëvrasje.

 

Burimi: Euronews