Ukrainë, infermierja që humbi dy këmbët vallëzon me bashkëshortin
Në oborrin e një spitali në Lviv, të sapomartuarit Oksana Balandina dhe Viktor Vasiliv kanë mbajtur vallëzimin e tyre të parë.
Për çiftin, të dy 23 vjeç, ky është një moment që thuajse nuk ka ndodhur kurrë.
Më 27 mars, pak më shumë se një muaj pasi Rusia pushtoi Ukrainën, teksa të dy po shkonin në shtëpi, në lokalitetin Liziçansk, në rajonin e Luhanskut, Oksana shkeli një minë.
Shpërthimi i mori asaj të dyja këmbët. Jeta për të pas incidentit ishte e vështirë, por tashmë ajo e ka lënë pas shpatullave atë periudhë.
“Në fillim nuk doja të jetoja. Nuk më pëlqente jeta. Kam dy fëmijë dhe nuk doja të më shihnin kështu. Nuk doja të isha barrë për askënd në familje, por falë mbështetjes së saj i kalova vështirësitë. Tani dua të jetoj. Ajo që ndodhi nuk ishte fundi i jetës. Nëse Zoti më la gjallë, atëherë ky është fati im”, tha Oksana Balandina, banore e Luhanskut.
Ndërsa Vasiliv, që po ecte prapa saj, nuk pësoi lëndime. Por edhe për atë, ajo që ndodhi ishte e rëndë. Ai me zor i gjen fjalët për ta përshkruar atë moment.
“Kur ndodhi mu deshën disa minuta të merrja veten. Ajo ishte e plagosur. Por po të mos ishte për Oskanën, nuk e di ç’do të kishte ndodhur. Ajo është shumë e fortë, nuk u dorëzua. Pas shpërthimit unë rash pre e dëshpërimit, nuk dija ç’të bëja. Ishte e tmerrshme kur e pash atë pa lëvizur”, u shpreh Viktor Vasyliv, banor i Luhanskut.
Tani, pas martesës, çifti shpreson të shkojë në Gjermani, ku Oksana do të marrë proteza për këmbët e saj dhe do t’i nënshtrohet rehabilitimit.