Situata në Veri të Kosovës, reagon kryeministri Rama: "Serbia ekspozon trupat në kufi, ku fuqia është e barabartë me zero"
Kryeministri Edi Rama ka bërë një reagim mbrëmjen e sotme lidhur me situatën në Veri të Kosovës. Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë i bën thirrje Kosovës dhe Serbisë që të normalizojnë marrëdhëniet nëpërmjet dialogut, ndërsa dënon sulmin ndaj trupave të KFOR-it në kufi.
Ai i quan sulmet ndaj ushtarëve të KFOR si akte të dhunuesve të verbër, por që dëmtojnë Kosovën, ndërsa shprehet: “Nga ky udhëkryq ku konflikti kthehet e rikthehet çdo vit si produkt i të shkuarës, me Serbinë që ekspozon trupat në kufirin ku fuqia e saj është e barabartë me zero dhe Kosovën që ekspozon ngurrimin e saj për të finalizuar dialogun, dilet vetëm me dialog e me aleatë të fuqishëm!”
Reagimi i plotë i Ramës:
"Lëndimi i ushtarëve të KFOR-it ngarkon me përgjegjësi të drejtëpërdrejtë dhunuesit e tyre të verbër dhe fatkeqësisht lëndon Kosovën në sytë e aleatëve e miqve të saj të pazëvendësueshëm! Sa më shumë zgjatet ky konflikt i rrezikshëm dhe i panevojshëm, aq më shumë lëndohet Kosova!
Nga ky udhëkryq ku konflikti kthehet e rikthehet çdo vit si produkt i të shkuarës, me Serbinë që ekspozon trupat në kufirin ku fuqia e saj është e barabartë me zero dhe Kosovën që ekspozon ngurrimin e saj për të finalizuar dialogun, dilet vetëm me dialog e me aleatë të fuqishëm!
Thirrja ime për t’i dëgjuar me vëmendje ata aleatë e për të mos u futur më thellë në shtegun jo vetëm të rrezikshëm, po edhe të kotë ku Kosova po lëndohet ndërkombëtarisht bashkë me ushtarët e KFOR-it që po lëndohen fizikisht, s’është thirrje ndërkombëtare po nevojë kombëtare!"
/News31