NEWS 10 Qershor 2025, 16:29

Publikohen pamjet e vrasjes së Martin Canit! Kush janë adoleshentët e përfshirë dhe çfarë po fshihet

Publikohen pamjet e vrasjes së Martin Canit! Kush janë

Teksa vrasja e Martin Canit mbetet e rrethuar nga misteri, thuajse 8 muaj pas ngjarjes, janë publikuar momentet e sherrit që përfundoi tragjikisht.

Sot janë publikuar pamjet e filmuara nga kamerat e sigurisë pranë shkollës 9-vjeçare “Fan Noli”, ku të miturit ndiqnin mësimin. Në këtë video, shihet se viktima Martin Cani dhe autori i dyshuar Mario Perlleshaj u prijnë shokëve për të shkuar në vendin, që më pas do kthehej në “vendngjarje krimi”.

14-vjeçarët e kishin lënë për t’u sqaruar, për një konflikt që edhe sot pas 8 muajsh, nuk dihet saktësisht si ka nisur dhe kush e ka nisur. Martini dhe Mario ndiqen nga pas nga Kledon Bekaj, Kingston Korbi, Armand Marku, Marseld Sina, Luis Meçja (mbeti i plagosur), Klevis Tema dhe një tjetër person i paidentifikuar, i cili gjatë kohës që kalon në rrugicën e filmuar, mban kapuç në kokë dhe shihet sikur tenton të mbulojë fytyrën. Në këtë moment, ora shënon 14:10 dhe adoleshentët sapo kishin përfunduar mësimin.

Pas thuajse dy minutash, fëmijët shihen teksa dalin me vrap nga vendi i ngjarjes. I pari që vrapon është Kingston Korbi, i ndjekur nga Armand Marku dhe Martin Cani. Ky i fundit mban dorën në zemër pasi është qëlluar me thikë. Më pas shihen teksa dalin me vrap dhe djemtë e tjerë, të fundit Luis Meçja dhe Mario Perlleshi, autori i dyshuar.

Në këtë moment, Mario Perlleshaj kapet nga kamera teksa mban në dorë thikën me të cilën dyshohet se është qëlluar Martin Cani. Por Mario detyrohet të kthehet në vendngjarje, pasi mesa duket gjatë sherrit, i ka rënë atletja.

Në fundin e videos shihet se Mario del pas disa sekondash nga “kthesa fatale” ku ndodhi krimi dhe takohet me disa nga djemtë.

Kjo video sigurisht sqaron një pjesë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë, e megjithatë, mister vijon të mbetet se kush e ka qëlluar me thikë Martin Canin. Mario Perlleshi vijon të mohojë autorësinë e krimit, e megjithatë, nuk pranon të tregoj se çfarë ndodhi saktësisht mes tyre në atë rrugicë, pak metra larg shkollës.

Pozitën e Perlleshaj e rëndon edhe fakti që pas ngjarjes, ai publikoi disa foto të rënda në rrjetin social “Snapchat”, ku sipas adoleshentëve, i gjithë konflikti kishte degraduar.  Në fotot e publikuara nga Perlleshaj shihej se 14-vjeçari ekspozonte thikën me të cilën i mori jetën bashkëmoshatarit, e po ashtu pamjet e dorës së tij të plagosur.

Nga ana tjetër, të gjithë djemtë e përfshirë në ngjarje kanë dëshmuar për një person të tretë të përfshirë në konfliktin mes Martinit dhe Marios. Fillimisht, ekzistenca e tij u pikas në dëshminë e Luis Meçes, i cili u tregoi prindërve se pak orë para ngjarjes, një person i rritur e kishte qëlluar me shpullë Martinin në oborrin e shkollës.

”Djali im së bashku me Martinin ishin djem shumë të mire dhe të urtë. Ditën e ngjarjes klinika më lajmëroi se të dy ishin rëndë dhe në gjendje kritike për jetën. Luisi më kishte thënë që dikush ditën e premte, para ngjarjes e kishte goditur Martinin dhe e kishte gjakosur tek buza. Konflikti kishte ndodhur për shkak se autorët kishin bullizuar vëllain e Martinit dhe ato kishin shkuar të sqaroheshin. Ai insiston se ditën e ngjarjes ishin dy persona që i goditën, jo një”– deklaronte nëna e Luis Meçes.

Megjithatë, nga Prokuroria nuk është dhënë asnjë detaj mbi këtë, e madje, policia doli me deklaratë që në sherr ishin të përfshirë vetëm Martini, Mario dhe Luisi. Kjo deklaratë u hodh poshtë më vonë, e në fakt kjo video është dëshmi e plotë se të gjithë djemtë kanë qenë dëshmitarë të asaj që ndodhi. E nëse i kthehemi videos, në pamje shihet një person që shkon i fundit në vendngjarje dhe gjatë gjithë kohës mban një kapuç të zi në kokë.

Burimi: Gazeta Shqip