Berisha në SPAK, deklaratë pas paraqitjes: Dumani në krye të amnistisë së krimit elektoral! |

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, sot u paraqit në SPAK, në zbatim të masës së sigurisë “Detyrim për paraqitje”, të caktuar nga GJKKO-ja lidhur me dosjen “Partizani”. Pasi doli nga Prokuroria e Posaçme, lexoi shënimin që i la Altin Dumanit.
Qëndrimi mbrojtës ndaj krimit elektoral i Altin Dumanit, përbën një krim të rëndë antikushtetues në shërbim të narkoshtetit dhe kreut të tij, Edi Rama. Kjo është deklarata që unë i lashë kreut të Skap-it.
Po ashtu, Berisha publikoi dokumentin që sipas tij vërteton se gjyqtarja e GJKKO-së, Irena Gjoka është dënuar e dëbuar nga Greqia. Kreu demokrat tha se ky dokument “vërteton dëbimin nga shteti grek të gjyqtares Gjoka me 5 mbiemra”. Ai vijoi sulmet ndaj gjyqtares, duke thënë se tentoi të fshihte dënimin në Greqi për falsifikim dokumentesh. Duke e cilësuar “mashtruese ordinere, delinkuente e paturp, e pacipë”, Berisha deklaroi se “gjyqtarja është subjekt i ligjit” dhe se “gjykata speciale është e mbushur me kriminelë specialë”.
Vërteton se ajo ka mashtruar shtetin shqiptar qoftë për dënimin, qoftë për dëbimin. Ajo publikisht e ka mohuar që kurrë nuk kam pasur gjëra të tilla, ndërkohë ka marrë prokurë për t’i hequr këto masa.
Berisha foli edhe për krimet zgjedhore duke akuzuar Dumanin, për të cilin tha se “qëndron në krye të amnistisë së masakrës elektorale të ndodhur më 11 Maj” dhe iu referua si “shërbëtor që mbron interesat e Ulsi Manjës e të Arben Rakipit”.
Gjatë fushatës elektorale, PD-ja ka dorëzuar mbi 15 padi, që natyrisht do të kenë fatin e të gjitha padive të tjera, sepse në krye të amnistisë së krimit elektoral, qëndron ai që amnistoi dosjet 184 dhe 339, qëndron vetë Altin Dumani, shërbëtor i shpifur i Ulsi Manjës e Arben Rakipit, i keqpërdorur në shkallë ekstreme nga Edi Rama.Ne kemi dorëzuar edhe gjatë fushatës me dhjetëra padi.
Diaspora ka votuar masivisht për PD-në, por siç e keni parë ju, kutitë e votave dhe votimi i tyre është fund e krye manipuluar njëlloj si në Korenë e Veriut apo në diktaturën hoxhiste. Diaspora kundër narkoshtetit do të thotë fuqishëm fjalën e saj sepse përdhosja dhe shkelmimi që iu bë vullnetit të lirë të shqiptarëve në Europë do të marrë përgjigje shembullore po nga shqiptarët jashtë vendit.