Të qeshura, performanca live dhe shumë argëtim, Jehona Shaqiri në një intervistë të sinqertë
Këtë të dielë e ftuara speciale në “N’majë t’gjuhës” ishte Jehona Shaqiri. Ajo është artistja që ka krijuar grupin e parë shqiptar të rock-ut me vajza, në vitet ’90.
Përballë Xheraldina Vulës, Jehona jo vetëm që na dhuroi disa performanca live shumë të bukura por edhe na tregoi më tepër nga jeta e saj personale. Jehona është një ndër personazhet më energjikë dhe solarë të ekranit shqiptar dhe duhet t’iu themi që e gjithë intervista ishte e mbushur me të qeshura.
Rock-artistja shqiptare tregoi se cilësia e karakterit të saj të cilin do të donte që njerëzit ta shihnin më shumë, është dashuria. Dashuria për çdo gjë që e rrethon.
Sipas saj ajo që po “shkatërron” shoqërinë në ditët që po jetojmë është teknologjia dhe ekspozimi e ndikimi i tepërt nga rrjetet sociale.
Jehona është e martuar me Besnikun, të cilin krahas jetës private e ka edhe partner në band-in e saj si baterist. Por a është Besniku besnik?
Përgjigje ishte tipike e Jehonës.
“Është aty ku do vetë”.
Ndalur te karriera, Jehona theksoi që ajo që është e rëndësishme te një artist është identieti. Ajo mundohet që çdo këngë ta përshtasë me stilin e saj, si përmes mënyrës së këndimit, interpretimit apo instrumentave që përdor.
Ne na vjen keq që krahas përgjigjeve të artistes, nuk mund t’iu përcjellim këtu në artikull edhe të qeshurat e shkaktuara në studio dhe emocionet e performancave të saj live në studio.