GOSS-BIZ 31 Maj 2023, 21:00

Nga Eurovisioni, koncerti recital dhe deri tek dashuria, Era Rusi zbulon gjithçka!

Nga Eurovisioni, koncerti recital dhe deri tek dashuria, Era Rusi zbulon

E ftuar sot në “Pardon My French” në Top Albania Radio, me Jonida Alickollin dhe Elona Duron, ka qenë artistja e njohur, Era Rus, e cila ka ndarë detaje nga karriera e saj e gjatë në muzikë, duke zbuluar edhe gjithçka rreth këngës së saj më të re e cila titullohet “Kur të merr malli”.

Edhe pse janë të shumtë artistët që shprehen tv zhgënjyer festivalet sepse nuk kanë marrë asnjëherë atë që kanë dashur, Era duket se ka një mendim më pozitiv në lidhje me këto evente muzikore:

"Të gjitha këto qëndrojnë (zhgënjimi) por kur vjen koha e festivalit i harrojmë.(qesh) Shiko në vendin tonë nuk është se kemi shumë mundësi për t’u shfaqur në skena të mëdha kështu që dëshira është shumë e madhe dhe prandaj gjithmonë i harrojmë këto backstage-t e çdo festivali. Por unë mendoj që në fund fare gjithmonë ajo që mbetet është një këngë e bukur. Prandaj unë jam munduar të risjell në festival diçka të bukur ose një këngë që përfaqëson Erën. Jo një këngë që i duhet le të themi tregut. Edhe pse kam bërë edhe këngë komerciale por prapë kanë qenë cilësore dhe i kanë rezistuar kohës siç është “Gjuju”.

Me cilën nga këngët e saj mendon Era se do të ishte një përfaqësim i denjë i vendit tonë në Eurovision Song Contest? 

"Shumë njerëz më kanë thënë për “Gjuju” që do të donin të ishte në Eurovision. Unë mendoj që kënga “Eja merre” që kam qenë në festival ka qenë një këngë e denjë për Eurovision. Ka patur shumë këngë të bukura tani që e mendoj."- shprehet artistja, ndërsa idesë për një koncert recital, pas shumë viteve e hiteve në skenë, ajo i përgjigjet:

"E kam menduar, më shkoi mendja thashë pse jo. Është një shpenzim shumë i madh që për momentin nuk e di sa mund të përballohet e para dhe e dyta mendoj që nëse do të bëja një ditë një recital do të bëja diçka të çmendur. Do të vijë ajo ditë por mendoj që është një tjetër fazë. Kemi disa gjëra të reja për të bërë deri atëherë."

Sa i takon gjendjes së muzikës sot dhe se si vlerësohet këngëtarët që këndojnë "live", Era tha:

"Nuk ka rëndësi eventi apo emri i koncertit apo i organizimit. Mua po edhe shumë artistë të tjerë që janë këngëtar të muzikës live na ka marrë malli të rikthehet muzika e vërtetë. Na ka marrë malli që edhe diskotekat shqiptare të rikthejnë muzikën full live dhe full band. Dikur, jo shumë vite më parë ne kishim më shumë lokale që bënin muzikë live që kishin edhe një band. Personalisht kjo nuk është çështje pagesash por është sodisfaksion profesional nëse do të ishte një ambient ku vërtet publiku dashuronte atë që shikonte, muzikën pop dhe rock që unë bëja në atë kohë natyrisht nuk isha kaq e njohur nëse mund ta them kështu sepse më njihnin vetëm brenda për brenda Tiranës dhe ata që vinin atje. Nuk kisha koncertet që kam sot, nuk kisha të ardhurat që kam sot por kisha një shpirt shumë më plot sesa sot."

Ndërkohë, në studio u fol edhe për jetën personale të artistes, e cila ka zgjedhur ta mbajë gjithmonë larg vëmendjes publike, megjithatë e pyetur nëse do të ndryshonte Era Rusi për një person nëse do ta donte shumë, ajo tha:

"Unë mendoj që me vetëdije apo pa vetëdije të gjithë ndryshojmë nga pak ose përshtatemi. Disa kompromise duhet t’i bësh."

/News31