SPORT 10 Tetor 2021, 22:59

Franca mposht Spanjën! Mbappe dhe Benzema u japin gjelave kupën e "Ligës së Kombeve"

Franca ka mposhtur Spanjën me rezultat 2-1, duke fituar trofeun e "Ligës së Kombeve". Finalja e garës më të re të UEFA-s që u zhvillu në stadiumin ‘San Siro’. Gjelat e filluan takimin më mirë, duke dominuar, me Karim Benzeman që në minutën e gjashtë tentoi të gjente golin, por harkimi i tij u bllokua. Spanja tentoi më shumë nga kundërsulmet, por mbrojtja e francezëve ishte tejet stabile dhe nuk lëshoi hapësira. Franca më pas mbeti pa Raphael Varanen në fushë, sepse pësoi një lëndim dhe u largua në minutën e 43-të.

45 minutat e dytë filluan furishëm, duke u shënuar dy gola të shpejtë. Ishte minuta e 64-të, kur Furia e Kuqe e zhbllokoi sfidën me një gol të realizuar nga Mikel Oyarzabal, që u asistua nga Sergio Busquets. Por, gëzimi i spanjollëve zgjati vetëm dy minuta, pasi Gjelat i barazuan shifrat në 1-1.  

Ishte Karim Benzema që me një asistim nga Kylian Mbappe në minutën e 66-të, realizoi një gol spektakolar. Ishte minuta e 80-të, kur Theo Hernandez asistoi për asin e PSG-së, Mbappe, që arriti të mposht me lehtësi Unai Simonin. Kështu, Franca  fiton trofeun, i dyti që jepet në garën më të re të UEFA-s, me Portugalinë që tani është nënkampion. /News31