SPORT 6 Qershor 2024, 16:16

Mediat në Itali: Shqipëria mund të jetë “hirushja” e EURO 2024

Mediat në Itali: Shqipëria mund të jetë

Euro 2024 po “troket”. E teksa skuadrat kanë ndezur “motorët”, për të qenë gati për fillimin e aventurës, mediat ndërkombëtare, kanë nisur të bëjnë parashikimet e para, jo vetëm se cila mund të jetë skuadra fituese, në finalen e Berlini-it më 14 Korrik, por gjithashtu edhe se cilat mund të jenë kombëtaret që mund të surprizojnë në këtë evropian.

Së fundmi ka qenë media italiane, “Calciomercato”, e cila ka bërë parashikimin e saj. Ajo ka renditur dy Kombëtaret, Shqipërinë dhe Gjeorgjinë, si skuadrat që mund të shkaktojnë surprizën e madhe.

“Shqipëria dhe Gjeorgjia janë hirushja e EURO24. Janë dy kombëtare që zgjojnë kuriozitetin më të madh mes 24 pjesëmarrëseve. Për Italinë, ky do të jetë kundërshtari i parë, Shqipëria. Janë rreth 10 lojtarë të thirrur nga Silvinjo që i përkasin Serisë A ose Serisë B, pa përmendur këtu edhe të tjerë që kanë dalë nga Seria A si Manaj, Ajeti, Strakosha.

Një kombëtare solide dhe intriguese, e cila fitoi grupin përpara Polonisë apo çekëve. Ndryshe nga pjesëmarrja në 2016, tani Shqipëria është më e pjekur dhe kërkon kalimin në 1/16. Sigurisht që grupi me Italinë, Kroacinë dhe Spanjën është i ndërlikuar, por shqiponjat e dinë se mund të befasojnë”, shkruan “Calciomercato”.