Pse një rast dhune është tragjedia e të gjithëve?
Nëse dukeni sot të shokuar, e dimë mirë se në të vërtetë nuk jeni. Sepse është hipokrite nga ana jonë të aktrojmë si të habitur para dhunimit të një të moshuare, ndërkohë që të gjithë kemi frikë t'ua besojmë azileve, qoftë edhe për një ditë, të afërmit tanë.
Pra, vetëdija është aty. Cila vetëdije? Pikërisht ndërgjegjja se çdo person që mund të sulmohet në këtë vend, do të sulmohet. Kjo nuk duhet të na shokojë, por duhet të na vërë në lëvizje. Nuk mjafton një pasthirmë, prekje empatike, apo sharje.
Çfarë e bën tragjike situatën në fjalë, jemi ne. Është shoqëria thellësisht e dhunshme që kemi ndërtuar. Një rini e mbushur me mllef, me urrejtje për çdo shkollim që merr, me nevojën për të gjetur "argëtim" në rrahjen e një të moshuare. Është shoqëria në të cilën lejohet hapja e sipërmarrjeve që na sigurojnë krime. Pjesa e shoqërisë që kërkon të ndjekë dhunueset në rrjete sociale. Kjo është shoqëria në të cilën nuk mjafton vetëdija.
Ato që janë filmuar, me siguri nuk kanë qenë goditjet e para mbi atë grua dhe të tjerë aty. Por edhe vajzat me siguri janë rritur me shembuj goditjesh. Mbase edhe kanë postuar ndonjëherë diçka për kundërshtimin e dhunës ndaj grave. Tragjedia qëndron në hipokrizi dhe justifikime. Nuk ka asnjë justifikim për dhunën e çdo lloji, as për dhunën që ju po ushtroni verbalisht ndaj disa punonjëseve, që nuk meritojnë pozicionin e profesionin që u është dhënë prej institucioneve.
Çfarë duhet t'u rëndojë vërtetë, që mos t'u rëndojnë më vonë histori të tilla, është fakti se këto vajza janë arsimuar, certifikuar dhe punësuar për t'u kujdesur me durim ndaj moshës së tretë. Kjo është fatkeqësia jonë. Fakti që po ndërtojmë të rinj me perspektivë dhune, që mesa duket e mbushin ditën me krime ndaj personave për të cilët duhet të kujdesen. E ardhmja është fatkeqësia jonë…