Dy (ose më shumë) fjalë për këta “artistët” e mëdhenj që po heqin dorë nga muzika

Muzika ditët e fundit ka marrë goditje të rënda, njëra pas tjetrës dhe jo nuk e kemi fjalën për ndarjen nga jeta të të madhit Toto Cotugno apo faktit që Celine Dion nuk do mundet me shumë gjasë të këndojë asnjëherë më “live” për shkak të shëndetit të saj. E kemi fjalën për muzikën shqiptare, këtë muzikën tonë që aq sa e bukur është, ndonjëherë lejon të bëhet pjesë e saj ndonjë që ka lidhje me këngën aq sa lidhje kam unë me palëstrën, por gjithsesi nuk është faji muzikës, por i atyre që i kanë hapur rrugët drejt saj edhe atyre qe instrumenti i vetëm që njohin është fyelli (jo ai muzikori).
Nejse, për ju që jeni të përditësuar, e dini shumë mirë se për çfarë po flas, për ju që nuk ja keni idenë kemi ca lajme të këqija për ju, ose të mira se varet si i merrni. Alban Ramosaj aka “Zotëria i Thikave”, Fero aka “Zotëria i them burgut literalisht hapu çdo 2 muaj”, Noga aka “Zotëria që heq dorë nga muzika pa qenë këngëtar” dhe Nushi aka “Zotëria, edhe iher t’lutëm” i kanë dhënë lamtumirën në një mënyrë a në një tjetër tregut muzikor ditët e fundit dhe asgjë nuk është më e njejtë në jetën tonë. Përveç punës, familjes, ndjenave, shtëpisë, miqve, të dalurave, rrjeteve sociale, oh prit një sekondë, çdo gjë qeka e njejtë në jetën tonë, por atëherë çfarë ka ndryshuar?
Përgjigjen për këtë pyetje nuk e dimë, ashtu siç nuk dimë përgjigjen për pyetjen “Hoqën dorë këta nga muzika, apo hoqi dorë muzika nga këta?” se ata që janë artistë (si ata që përmenda në hyrjen e këtij artikulli) jetojnë me muzikën dhe nga muzika për qindra vjet minimalisht. Megjithatë le t’i marrin pak me radhë edhe të shohim çfarë ka ndodhur me djemtë tanë, që nuk kanë më kreativitet në zemrën e tyre.
Alban Ramosaj në fakt është një nga ato personazhe që në këtë listë qëndron pak mbi të tjerët, pasi që në fillimet e tij është vecuar për stilin ndryshe, talentin dhe kreativitetin, teksa çdo këngë që ka sjellë, është përpjekur ta trajtojë si një vepër arti, gjë që është vlerësuar mjaft nga publiku dhe fansat besnikë. Aq është vlerësuar sa Albani ka fituar edhe një “Këngë Magjike” dhe ka qenë shuuuumë afër të shkuarit në Eurovision, megjithatë duket se teksa kërkon frymëzim për këngë, ai ka “harruar” vetveten dhe tashmë nuk ka më kreativitet, ose të paktën atë që ai vetë do nga arti i tij dhe kështu ka vendosur t'i japë fund. Gjithsesi, duke dikur se artistët janë pak më “dramatikë” se ç’duhet dhe nisur edhe nga shenja e Horoskopit, Peshqit, në mos është penduar që tani, Ramosaj do pendohet shumë shpejt për vendimin dhe do vijë më projekte të reja. Sepse ai thjesht nuk jeton dot pa muzikën dhe për këtë jemi gati të vemë bast. A ishte vërtetë nevoja për këtë "dalje" dramatike nga skena? The Weeknd për shembull, vendosi që tani e tutje të mbajë emrin e tij të vërtëtë dhe të mos bëjë më bashkëpunime dhe po e kalon kështu “krizën e tij të identitetit” në muzikë, por për Albanin po, ishte e nevojshme të bëhej dramatik sepse fundja ka nevojë të ndjejë edhe dashurinë e publikut dhe këtë gjë e kuptojmë. Tani lëri llafet dhe fillo punën për këngën e re.
Fero pastaj është krejtësisht tjetër gjë. Pasi ka dalë e ka hyrë në burg vazhdimisht këto muajt e fundit, reperi ja vuri “vulën” largimit nga muzika, kur vendosi që të dhunonte bashkëshorten, Arbenitën dhe të luftojë me të për kujdestarinë e vajzës që kanë bashkë. Pra le të themi që reperi i vuri një “vulë” të paheqshme vetes dhe duket se shpëtimin nga gabimet dhe vendimet e gabuara në jetë i ka gjetur tek feja. Sigurisht, këtu nuk ka asgjë të keqe, teksa Fero thotë se është pikërisht besimi islam që ja “ndalon” tani të merret me muzikë dhe madje pendohet për këngët që ka bërë, duke ju drejtuar edhe fansave (ish-fansave) që mos dëgjojnë e të fshijnë çdo projekt të tijin. Në radhë të parë, fansat i kanë fshirë këngët me kohë, e dyta, teknikisht besimi islam nuk të ndalon të merresh me muzikë, kështu që na vjen mirë që studion, por studio ato që duhet. Dhe e treta, nuk ka rëndësi çfarë feje praktikon, të gjitha fetë në botë do të kërkonin të hiqje dorë nga këngët që ke bërë deri më tani, për të mirën e besimtarëve të vet dhe të gjithë njerëzimit. Nejse, shpresojmë që Fero ta ketë gjetur vetveten dhe faleminderit për shprehjet si “gang, ganga” apo “a pe din qysh”! Ke lënë gjurmë të pashlyeshme.
I treti në listë është Noga, që u raportua si këngëtari i radhës që heq dorë nga muzika shqiptare, por në fakt Noga, edhe pse ka emrin në disa hite të viteve 2000’ nuk ka qenë ndonjëherë këngëtar, por beatbox-er dhe ndoshta edhe producent, prandaj ja lejonin që të vendoste emrin në këngë dhe të dilte në videoklipe (si ai i Tequila Vava me Flor Mumajesin). Noga në fakt ka kohë që merret me biznes dhe vazhdon traditën e familjes, por ndoshta ka menduar meqë të gjithë po heqin dorë nga muzika, po e bëj edhe unë, për ndonjë titull aty këtu. Ai tha se po i jep fund karrierës 17-vjeçarë në muzikë, por karriera 17-vjeçare e Nogës në tregun muzkor është njësoj si karriera 17-vjeçare e Herion Mustafarajt në Hollywood. Thjesht nuk ekziston, megjithë qejfin e tij.
I katërti pastaj është Nushi, një miks mes një reperi në Kosovë dhe një këngëtari që sjell remix-e të hiteve të vjetra dhe që në fakt ka gjeneruar një farë suksesi me to, ndërsa po ashtu ne media është raportuar edhe për “lamtumirën” e tij nga muzikë, sepse do t’i përkushtohet familjes dhe shkollës dhe gjërave si këto. Në fakt, nuk thuhet askund që për të pasur një karrierë të mirë në muzikë, duhet të lesh pas dore çdo gjë tjetër në jetë, përkundrazi, kujdesesh akoma edhe më mirë për to. Megjithëse nëse Nushi, që kontributin në muzikën përtej dhe brenda kufirit tonë e ka si R tek Marlboro-ja, ka vendosur që kaq kishte. Kaq le të jetë. Edhe një tjetër që ikën, po ashtu si Akili… (referencë jo për ju që keni lindur pas vitit 2005)…
E kështu, nuk e dimë çfarë ka ngjarë, kush i ka bërë "magji" këtyre djemve, por mendojmë që është koha të ndalojë këtu kjo “tragjedi”. Nuk mund t’i përballojmë më këto largime, kështu që ju lutem ndaluni se nëse largohet edhe një tjetër këngëtar, ky shpirt e di se cfarë do të heqë….
Nga Kejvin Kalo