Të jesh a të mos jesh..Luiz Ejlli!

Aventura e “BBVIP” këtë vit i ka pasur të gjitha. Spektakël, reagime të forta, lojë, intriga, strategji, komedi, absurditet, të gjitha këto edhe më tepër, në aq shumë ditë sa Gjermania do e kishte pushtuar më shumë se 3 herë Poloninë e ndërsa i afrohemi fundit, vetëm një emër na vjen në mend që i përmbledh të gjitha dhe që sigurisht është Luiz Ejlli! Pa i mbetur hatri personazheve të tjerë që absolutisht kanë qenë protagonistë, por kjo është e vërteta dhe vazhdojmë me këtë artikull që hyrja po i zgjat më shumë se lidhja e Kristit dhe Keisit.
Mbaj mend që edicionin e kaluar finalja e reality show-t u prit dhe u përjetua ndryshe nga publiku dhe nuk e kemi fjalën për faktin që këtë edicion përflitet se mbrëmja e 6 majit do bëhet ne stadium, do ketë të përfshire politikanë dhe me siguri ndonjë skenë nga “Fast and Furious” me makina që bien nga qielli, por për banorët dhe garën brenda shtëpisë. Përveç Deas që hera herës beson te pluhuri i zanave dhe Kristit që mendon se do fitojë falë fuqisë së erës së parfumeve të tij, të gjithë e dinë kush do jetë fituesi, ndërkohë që vjet ka pasur 3 pretendentë të fortë nëse llogarisim mendimin e feministëve kudo që ndodhen dhe për të gjithë ata që janë realistë, 2. Donaldi ishte pretendenti i të rinjve, atyre që kanë bërë aq shumë gabime në jetë në të 20-tat e tyre sa edhe sot s’e kanë marrë veten akoma, ndërsa Iliri fituesi i mamallarëve dhe baballarëve kudo që ndodhen dhe në fund mësuam që sado të investosh në drona dhe bluza të stampuara, njerëzit në të 50-tat me lekë ne telefon janë ata që ta japin vërtetë fitoren. Po argëtohem kaq shume me këtë përshkrimin sa nuk po e mbyll dot, por le t’i japim fund këtij paragrafi duke thënë se gjithsesi, duke e parë sot, të gjithë fituan vjet, Einxheli fitoi dashurinë e jetës, Donaldi po dashurinë dhe një shtysë të madhe në karrierë dhe Iliri çmimin e parë dhe fatin që të punojë me Vera Grabockën.
Ndërkohë këtë vit, nuk ka emocione gare, por të gjithë po presin momentin që emri i Luizit të thirret nga Arbana Osmani pas një pauze ku edhe Toka nuk do rrotullet rreth Diellit në atë çast, e ndërsa presim, le të shohim pak kush është Luiz Ejlli dhe pse është gjëja që duan më shumë shqiptarët sot pas bukës me vaj dhe djathë. Luiz Ejlli në shtëpinë e “BBVIP” është një kombinim i të gjithë fituesëve të formatit në gjithë këto vite, përveç asaj gocës që e ka emrin Nevila ose Nevina më duket dhe askush nuk e di se si arriti të fitojë. Luizi ka shfaqur anën e të kulturuarit, pak a shumë në të gjitha fushat përveç në atë të të ngrënit, madje mund të themi që është arsyeja pse shumica e njerëzve kanë mësuar se vendi ynë ka pasur një himn origjinal të shkruar nga Gjergj Fishta dhe që është më i bukur se ky aktuali. Po ashtu ka qenë arrogant, egoist, misogjenist, përfaqësuesi i çdo mashkulli shqiptar që kapaciteti i të cilit shkon deri aty sa të gjejë cilat ndeshje të kësaj të diele do të dilnin ½, por edhe shembull i mashkullit që do bënte gjithçka për dashurinë dhe i njeriut që shansin e artë që ka do e përdorë deri në limite për t’i treguar “atyre” se ai bën dhe ai vlen. Një ndërthurje e atij studentit që ka mbaruar për filozofi, por jeta e ka detyruar të punojë në call center dhe e Dash Shehit në një episod normal të Opinionit ditën e mërkurë. Luiz Ejlli është ose zgjedh të bëhet edhe Joker-i, personazhi i keq më i vlerësuar i të gjitha kohërave, socipati që ja kupton arsyet e veprimeve nga “historia e origjinës”, por nuk i justifikon dot sepse në këtë jetë ose je i keq ose je i mirë, nuk ka rrugë tjetër dhe ky është rregulli.
Sipas tij, Luizi në një pikë të jetës ka qenë edhe njeriu që ka humbur gjithçka, që është zhgënjyer nga dashuria dhe besimi tek njerëzit, që ka menduar edhe vetëvrasjen, që ka bërë zgjedhje aq jo të mirëmenduara sa të pasurit borxhe, është gjëja më e lehtë që mund të rregullojë kur te dalë nga ajo shtëpi. Po ashtu ka qenë djali i një nënë që ka sakrifikuar çdo gjë për familjen dhe vëllai i një motre që nuk di si të përdorë Instagram-in, ose bën sikur nuk di dhe anëtari i familjes që të gjithë do donin ta kishin në shtëpi në një drekë të diele, por jo në një mbrëmje të shtune. A është Luiz Ejlli njeri i keq? Ndoshta. Po njeri i mire? Nuk e dimë. A jam unë njeri i keq? Varet se kë pyet, i mire nuk jam se ju bëra të lexonit gjithë këtë, fakti është që nuk mund të përcaktosh, as në 130 ditë, i survejuar nga kamerat 24/7 se çfarë ka në zemrën e një njeriu, aq më pak në trurin e tij, edhe pse të gjithë pretendojnë se ja kanë disektuar me detaje.
Ama dime që Luiz Ejlli ka gjithcka që t’i shtohet listës së emrave që dalin në fjalor kur përcakohet fjala spektakël. Dime atë çfarë na ka bërë të ndjejmë, një spektër të gjërë gjërash, edhe pse mund të kemi qenë radikalisht kundër tij. Duke lënë mënjanë ata që vazhdojnë ende paragjykojnë “BBVIP” dhe vëmendjen që merr, por që me siguri edicionin tjetër do jenë më të investuar se Paloma dhe Mikela, nuk ka njeri që që nuk e ka pyetur njëherë veten ne këto muaj: Ore si është puna me këtë Luizin? Dhe unë po e pyes veten, duke marrë borxh shprehjen e Hamlet-it, të jesh a të mos jesh Luiz Ejlli?
Në të dyja rastet, një gjë është e sigurtë, askush nga ne nuk do e përballonte dot si ai. Pra, edhe po të duam nuk jemi dhe Luizi që është Luiz, bashkë me shpërblimin që do marrë pas personazhit që na ka prezantuar, do vuajë edhe kostot kur të dale jashtë që ndoshta dhe nuk i përballon dot sepse “me fuqi të mëdha vijnë përgjegjësi të mëdha” dhe në jetë, nuk je përgjegjës vetëm ndaj mendimit të Zhaklin Lekatarit dhe Arbër Hajdarit.
Dhe për ta mbyllur tamam, tamam, dy mesazhet që nxjerrim nga e gjithe kjo, sepse nje histori e mirë ka gjithnjë dy mesazhe. E para: Mos e nënvlerësoni kurre një njeri që nuk ka cfarë të humbasë! Dhe e dyta: Nëse Benet Beci fiton Shkodrën ketë vit, Edi Rama duhet ta shpallë Luizin si gjënë tjetër të MADHE të Shkodrës, pas Mollës, Kafes dhe gjithçkaje tjetër të madhe që ata kanë.
Nga Kejvin Kalo
/News31