Si të MOS e fitosh “Big Brother”, një manual nga Egla Ceno!
Dua ta nis këtë shkrim duke thënë se une vetë personalisht, si rrallë ndonjëherë nuk kam qenë “tifoz” me askënd këtë vit në “Big”, jo se nuk e kam ndjekur, por loja sidomos e zhurmshme e shumicës së banorëve nuk ja ka dalë të më zgjojë atë ndjenjën e përhershme. Por ndërsa nuk kam asnjë të preferuar (ose prit një sekondë kam, Ledionin!), e kam lehtësisht një më pak të preferuar, një “lojtare” që përgjatë këtyre 100 e kusur ditëve nuk ka bërë gjë tjetër veçse na ka dhënë një manual të pastër, 24/7, se si nuk fitohet ky reality show dhe sigurisht ajo është Egla Ceno!
E kam të qartë qëkur e thashë këtë, tani do thonë je me Romeon, ose me Julin, ndoshta edhe me Meritonin, por kjo nuk më bezdis se këtu tek ne kështu mendohet gjithnjë, nëse nuk je me Interin, me Milani ose Juven do jesh, edhe nëse nuk e ndjek fare futbollin. Gjithsesi unë dua t’i hyj pak bëmave të së famshmes Cen0 (sic na hyni ju me analizat tuaja aty ku s’thuhet). Tani që e mendoj, “manuali Eglës” është fiks si pamfletet e Dëshmitarëve të Jehovait, se praktikisht akush nuk do t’i lexojë e aq më keq t’I ndjekës, por prap “përndiqesh” nga ndjekësit, edhe në shtëpi, kur je duke parë absolutisht punën tënde dhe nëse tundohesh që t’I hedhësh një sy, nuk e kupton se në fund do përfundosh i lyer me “vaj e uthull”, derisa është shumë vonë.
Manuali shumëngjyrësh i Eglës në këtë “Big Brother” përmban udhëzime nga më baziket, ku theksojmë përdorimin e ofendimeve, shpesh herë kreative, ja pranojmë këtë, por që në një situatë normale nuk do të toleroheshin nga askush, deri tek provokimet nga më absurdet, fizike dhe mendore (pa kursyer as “ata të shtëpisë), por që falë talentit absolut të “zonjës”, shfaqen para syve tuaj si arma e saj ndaj padrejtësive që i janë bërë. E meqë jemi këtu, një tjetër pjesë e rëndësishme e arsenalit të kësaj lojtareje madhështore, ka qenë viktimizimi, “kryefjala” e manipulimeve të saj, që për shumë ka qenë shenjë zgjuarsie, por për ne, që i shohim gjërat pak më të paverbuar, nuk tregojnë gjë tjetër veçse dobësi dhe ndoshta pasojë traumash nga ngjarje të shkuara.
Është për të ardhur keq në fakt, se me pak përpjekje, me shumë pak mirësjellje dhe meditim, Egla mund t’ja kishte dalë të paktën që kauzat e rëndësishme për të cilat ngriti zërin një Shqipëri e tërë në krah të saj (ngacmimi seksual në punë dhe mospasja e fëmijëve), t’i kthente në qëllim dhe të paktën të na linin ca dyshime për “betejat e brendshme” që ajo ka mes të mirës dhe të keqes. Por kjo e fundit fatkeqësisht ka fituar me kohë dhe jo, nuk është “sa për Big Brother”. E kemi të provuar tashmë që sado të thuash “e bën për lojë”, askush nuk mund të pretendojë se është dikush që nuk është në atë shtëpi për më shumë se 10 ditë dhe kjo që keni parë, është Egla Ceno, “mbretëresha e ndjesive të këqija”, “vibe-t negative” siç do thonin të rinjtë e sotëm dhe këtë e kemi të rrëfyer edhe nga njerëz që nuk kanë pasur lidhje me lojën në atë program.
Por manuali vazhdon, kemi parë mosmirënjohje, paaftësi për të qëndruar besnike qoftë edhe 48 orë ndaj dikujt, paragjykim, "shkelje" me të dyja këmbët e shanseve të dyta dhe shumëçka tjëtër, nga një aktore që po të ishte “villain”, shqip “e keqja e historisë” do i bënte nder vetes. E them këtë, sepse zakonisht në filmat me superheronj e jo vetëm, “të këqinjtë” në fakt janë heronjtë e vërtetë, se fundja për heroin është shumë e thjesht të bëjë gjënë e duhur, ka mbështetjen e të gjithëve, ndërkohë që kundërshtari i tij beson i vetëm tek e vërteta për të cilën lufton dhe kjo e bën ndonjëherë më hero se heroi. Egla megjithatë nuk mund të jetë as “villain” sa nuk ka një të vërtetë ku beson, sic nuk ka pasur në fakt as edhe ndonjë lojë aq interesante, me zgjedhjet që ka bërë që janv treguar I qartë se është aty ku është prej rastësisë, ose ne jemi popull me shumë probleme.
Një artiste së cilës “nuk i qeshi njëherë buza” do thoshte gjyshja ime, që nuk bëri dot një mik, që fjalës helm në fjalorin Shqip-Shqip i shtoi si përkufizim edhe emrin e saj dhe që pyetjes së vjetshme që bëra në mbarim të “Big Brother”, “Të jesh a të mos jesh?”, i ka dhënë përgjigjen përfundimtare: TË MOS JESH! (të paktën jo si Egla Ceno).
E për ta mbyllur, le t’i përgjigjemi asaj që ju me siguri e keni në mendje që në paragrafin e parë: “Ça do bësh ti po të fitojë?” Unë asgjë! Do pi kafen time buzë detit, e diela do jetë dita më e bukur e javës dhe me propabilitet absolut nuk do shoh kurrë në jetë një shfaqje apo film të Egla Cenos, por ju që e keni pasur të preferuar… Ju duhet të nisni të kërkoni ndihmë nga terapisti më i afërt ose të filloni t’i shihni gjërat për atë që janë, sic janë!
Sepse e vërteta, jo ajo që zbriti ditën e parë por aty afër, është që Egla Ceno në këtë “Big Brother” na ka dhuruar vetëm një gjë: Një manual të pagabueshëm si MOS e fitosh as program, madje po të doni: si MOS të jesh njeri dhe me këtë, dëgjohemi vitin e ardhshëm!
Nga Kejvin Kalo